1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Athina: Pakënaqësi me trojkën, shpresa tek Berlini

Jannis Papadimitriou / Lindita Arapi19 Nëntor 2013

Kryeministri grek, Antonis Samaras viziton Berlinin ditën e premte. Qeveria e Athinës këtë herë ka një pozicion më të mirë për negociiim, mendojnë ekspertët.

https://p.dw.com/p/1AKc1
Fotografi: public domain

Për një kohë të gjatë ishte vënë në mëdyshje vizita në Athinë e kreditorëve dhe troikës së përbërë nga BE, FMN dhe Banka Qendrore Europiane në fillim të nëntorit. Kjo sepse në disa pika të rëndësishme kishte divergjenca mes qeverisë greke të koalicionit dhe donatorëve. Opinionet ndahen kur bie fjala për borxhin e vitit 2014. Për disa javë ministri grek i Financave, Jannis Stournaras kishte propaganduar shumën maksimale prej 500 milionë eurosh, ndërkohë që trojka kishte llogaritur mungesën e 2 miliardë eurove, duke kërkuar kështu masa të mëtejshme kursimi, me qëllim që ky boshllëk financiar të përmbushej nga të ardhurat e qeverisë. Ndërkohë është rënë dakord për një nevojë shtesë prej 1,3 miliardë eurosh.

Por kreu i qeverisë greke, Antonis Samaras po kundërshton kursime të reja dhe shkurtime pagash. Duke pasur parasysh një recesion ekonomik shtatëvjeçar dhe një papunësi rekord prej 28%, kreu i qeverisë greke e sheh shoqërinë greke si "të tejlodhur".

Në foto: Antonis Samaras
Në foto: Antonis SamarasFotografi: picture-alliance/dpa

Kostas Botopoulos, jurist i specializuar për të drejtën kushtetuese dhe eurodeputet i PASOK-ut shprehet se "qeveria do të ndjekë një kurs të të fortë në negociata, sepse është ezauruar hapësira për masa të reja kursimi." Ai thekson se ujditë e arritura do të respektohen, por nuk mund të bëhen më kursime. Nga ana tjetër pozicioni negociues i Athinës forcohet për shkak se qeveria ia ka dalë të ketë tregues pozitivë, pra të ardhurat buxhetore janë më të larta se shpenzimet.

Manovra taktike për buxhetin

Ndërsa gazetari për çështjet financiare dhe publicisti, Makis Andonopoulos është i bindur se politikanët e Athinës demonstrojnë për publikun dhe për arsye taktike vendosmërinë, por ata i qëndrojnë besnikë linjës që kërkon trojka. Pasi ministri grek i Financave, Stournaras pranoi se mungojnë edhe 1,3 miliardë euro për buxhetin e vitit 2014, erdhi ftesa për kryeministrin grek në Berlin (22 nëntor).

"Ne japim rezultate, Europa ndihmon", kështu deklaroi në vizitën e fundit në Berlin në janar, Samaras. Vëzhguesit presin këtë herë që Samaras t'i jepet më shumë qartësi në kursin proeuropian të koalicionit në formim e sipër në Gjermani. Një arsye tjetër për këtë udhëtim diplomatik të Samarasit, vëzhguesit e shohin edhe në tensionet e brendshme në Greqi. Kreu i qeverisë e mbijetoj vetëm për pak votëbesimin e kërkuar nga opozita e Majtë greke.

Shqetësim për zgjedhjet europiane 2014

Për zgjedhjet e ardhshme europiane në vitin 2014, populistët e të gjitha ngjyrave, madje edhe partia ekstremiste "Agimi i Artë" shohin shanse të mira. Paralelisht me zgjedhjet në Europë, në Greqi zhvillohen zgjedhjet lokale.

Eksperti Andronpoulos shprehet se "nëse në zgjedhjet lokale në vend dhe në Europë fitojnë forcat politike që janë kundër politikës së kursimit, atëherë populistët e Majtë menjëherë një ditë më pas do të kërkojnë zgjedhje të reja parlamantare."

Ndërsa politikani socialist Kostas Botopoulos nuk sheh ndonjë rrezik të madh populist. Një aleancë partish kundër kursit të kursimeve nuk është diçka e re.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

Populistët e djathtë prej kohësh mbajnë kontakte me të Majtët, dhe ndjekin herë pas here një drejtim të përbashkët. Por një aleancë e tillë nuk mjafton "për të vënë në pikëpyetje të gjithë sistemin politik."

Në prill të vitit 2014 skadon paketa e ndihmës për Greqinë, ndërkohë që ende nuk është i siguruar financimi i mëtejshëm i këtij vendi në krizë. Ajo që do të vijë pas prillit 2014 ende nuk dihet. Që para zgjedhjeve parlamentare, ministri gjerman i Financave kishte deklaruar se nuk përjashtohet mundësia e një pakete tjetër ndihme për Greqinë. Sipas mediave Greqisë i nevojiten edhe 10 miliardë euro të tjera. Vendimet për këtë ende nuk janë marrë. Greqia sigurisht do të donte të kishte një konfirmim për paketën e re të ndihmës, shprehet Botopoulos. "Në kuadër të zgjedhjeve europiane do të ishte pozitive për qeverinë që të paraqiste suksese në negociata, por duket se edhe në Gjermani zhvillimet e brendshme politike do të marrin një rëndësi të dorës së parë, duke bërë kështu që të shtyhet një paketë e re ndihme për Greqinë."