1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arsimi profesional në Shqipëri

Ani Ruci15 Mars 2014

Intervistë me Winfried Heusinger ekspert gjerman nga CIM/GIZ në Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë për Arsimin dhe Formimin Profesional.

https://p.dw.com/p/1BQEp
Fotografi: Ani Ruci

DW: Z. Heusinger , keni ardhur në Tiranë nga dy institucione gjermane CIM dhe GIZ për të ofruar në Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë ekspertizë për Arsimin dhe Formimin Professional , (AFP) . A mund të prezantoni shkurt këto dy institucione dhe mbështetjen e tyre në Shqipëri?

Winfried Heusinger: "CIM – Centre for International Migration and Development- është Qëndra kompetente per mobilitetin global të punës në aktivitetet e bashkëpunimit ndërkombëtar të Qeverisë Gjermane. CIM bën të njohur potencialin që migrimi global ofron për një zhvillim të qëndrueshëm si edhe vendos ekspertë teknikë dhe menaxherë tek punëdhënësit në mbarë botën, duke u siguruar partnerëve të tij mbështetje për çështjet e migracionit. Qëllimi ynë është të gjenden zgjidhje që sjellin përfitime të barabarta për të gjithë aktorët - punëdhënësit, ekspertët, Gjermania dhe vendet me të cilat ajo bashkëpunon. CIM është pjesë e GIZ- Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar – dhe Agjensisë Federale Gjermane të Punësimit që bashkojnë më shumë se 30 vjet ekspertizë në fushën e zhvillimit dhe politikat në tregun e punës."

Arsimi dhe formimi profesional është prioritet i qeverisë së kryeministrit Rama në përpjekjet e saj për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë dhe mirëqënie. Z. Heusinger, a mund të tregoni si e kuptoni ju lidhjen mes arsimit profesional dhe rritjes së qëndrueshme të ekonomisë dhe konkretisht, çfarë mund të sjellë zhvillimi i këtij arsimi në një vend me të ardhura mesatare si Shqipëria, nëse ky prioritet i qeverisë Rama shkon mbarë?

Winfried Heusinger: "Edhe shërbimet e vogla, dhe ndërmarjet artizanale janë nën presion për të ofruar produkte në një cilësi të pranueshme. Sidomos në kompanitë e vogla, aftësitë dhe kompetencat e stafit kanë një rëndësi shumë të madhe. Nëse një klient është duke kërkuar për shembull një elektriçist ai pret që ai të ketë kualifikim të lartë, të jetë kompetent dhe t'i japë këshilla për zgjidhje opsionale, ai duhet të jetë i informuar për teknologji të reja në dispozicion, duhet të ndjekë sigurinë dhe rregulloret mjedisore dhe të jetë në gjendje të komunikojë në mënyrë profesionale. Sa më shumë që Shqipëria të lidhet me ekonominë evropiane, aq më shumë të gjitha kompanitë duhet të ndjekin kriteret e përcaktuara sidomos lidhur me cilësinë e ofruar të shërbimeve dhe produkteve, psh eksportet shqiptare do të jenë të suksesshme vetëm nëse standardet përkatëse janë plotësuar. Kjo mund të realizohet vetëm me anë të punës së kualifikuar dhe me staf të çertifikuar . Arsimi dhe formimi profesional është çelësi për të krijuar kompani të suksesshme dhe konkurruese me potencial për t'u rritur dhe zgjeruar në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare. Sidomos në kohët e vështira ekonomike kompanitë me një forcë të kualifikuar pune mund të gjejnë rrugët e duhura për t'iu përgjigjur situatave ekonomikisht sfiduese. Sidomos për një vend me të ardhura mesatare si Shqipëria, një sektor i fortë i formimit profesional do të krijojë avantazhe krahasuese për mjedisin e biznesit, që mund të jetë bazë për zhvillimin e një sektori ekonomik me të ardhme lidhur me krijimin e vendeve të reja të punës në një numër të konsiderueshëm.

Cila është përvoja e Gjermanisë në këtë çështje? Cili është thelbi i arsimit profesional gjerman?

Winfried Heusinger: "Arsimi dhe formimi profesional në Gjermani ka një traditë shekullore dhe është në fakt pjesë e traditës dhe kulturës sonë . Të bëhesh një teknik i lartë, i aftë dhe ndofta pas disa vitesh përvojë praktike pune të bëhesh " Mjeshtër”ose Mjeshtër zejtar” mirëpritet dhe vlerësohet shumë nga shoqëria gjermane. Në sistemin e arsimimit profesional të dyfishtë- pra teori dhe praktikë- janë të përfshira jo vetëm kompanitë e mëdha por veçanërisht ndërmarrjet e vogla nga sektori i zanateve dhe zejeve, që janë krenare të marrin përsipër një rol aktiv në punësimin e praktikantëve dhe ofrimin atyre të mundësive për të fituar " Handlungskompetenz " ose kompetenca profesionale duke i përfshirë që në ditën e parë të treinimit në proceset konkrete, reale të punës . Kjo është avantazhi më i madh krahasuar me një shkollë që mbështetet tek treinimi profesional dhe që ka nevojë për mbështetjen e mijëra treinuesve të mirë në kompanitë përkatëse si edhe për bashkëpunim mes Dhomave të Tregëtisë. Arsimi dhe formimi profesional është një nga pasuritë më të vlefshme të ekonomisë gjermane dhe sidomos kompanitë e vogla dhe të mesme përfitojnë nga teknikë të mirë- kualifikuar, me përvojë të pasur, që janë fleksibël dhe më të adaptueshëm me sfidat e reja ekonomike dhe që reagojnë pozitivisht ndaj ndryshimeve të tregut..
Thelbi i sistemit të dyfishtë të arsimit dhe formimit profesional në Gjermani janë kompanitë të cilat janë të angazhuara për të marrë përsipër përgjegjësinë për sistemin dhe që janë të gatshme të kontribojnë në mënyrë sinjifikative në financimin e këtij arsimi. Roli i qeverisë gjermane konsiston në dispozitat për shkollat profesionale part time , që plotësojnë sistemin, mbulojnë përmbajtje dhe lëndë që mund të mos ofrohen nga kompanitë si edhe garantojnë standarte të lartë trajnimi."

Cilat janë sipas jush pikat e forta dhe të dobëta të arsimit dhe kualifikimit profesional egzistues në Shqipëri?

Winfried Heusinger: "Arsimi dhe Formimi Profesional ka një traditë të gjatë në Shqipëri dhe ka shumë mësues entuziastë dhe të kualifikuar që punojnë me pasion në të gjithë vendin. Studentët e rinj të shkollave të AFP janë të motivuar dhe të hapur për të mësuar, për të fituar njohuri të reja dhe kompetenca që janë të nevojshme në tregun e punës.
Megjithatë zgjedhja e parë e shumicës së prindërve dhe të rinjve është ende universiteti. Kjo e bën të vështirë konkurrimin në tregun e arsimit për shkollat ​​profesionale. Sfida e çdo sistemi të AFP është të arrijë që të diplomuarit të fillojnë menjëherë punë sepse vetëm kështu ata mund të thithen nga tregu i punës. Prandaj bashkëpunimi me kompanitë do të jenë shumë i rëndësishën. Përmbajtja e trajnimit e ofruar nga sistem i AFP duhet të reflektojë kërkesat e tregut të punës. Kushti për ta realizuar këtë është gjithmonë çështje besimi dhe komunikimi mes të gjithë aktorëve të përfshirë."

A mund të përshkruani procesin që Arsimi dhe Formimi Profesional duhet të kryejë që të jetë i sukseshëm në plotesimin e qëllimit të egzistencës së tij?

Winfried Heusinger: "Shqipëria lançoi një Strategji Punësimi dhe Kualifikimi Profesional shumë inovative dhe premtuese për periudhën 2014-2020 . Kjo strategji dhe vizioni pas saj ka vendosur bazat e një sistemi modern dhe me cilësi të lartë të AFP në përputhje me standardet evropiane . Ajo do të kombinojë burimet e qendrave të formimit profesional dhe shkollave të AFP ​​për të ofruar shërbime kualifikimi dhe produkte, të cilat janë të kërkuara nga kompanitë dhe që njëherazi u ofrojnë të diplomuarve mundësi të mira punësimi. Një element kyç i strategjisë së re do të jetë përfshirja aktive e sektorit privat për të punuar në një qasje të përbashkët në partneritetin privat-publik të lidhur me shkollat e AFP. Bashkëpunimi i ardhshëm intensiv me kompanitë do të përputhet me situatën shqiptare. Qasjet e mësimit të profesioneve dhe praktikat intensive do të bëhen një karakteristikë e ardhshme e sistemit të reformuar të AFP në Shqipëri.
Shqipëria është duke krijuar me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera partnere, duke përfshirë Gjermaninë, qendra multifunksionale të AFP që do të ofrojnë kurse afatshkurtër dhe programe fillestare të trajnimit. Kjo lejon pjesën menaxhuese të këtyre qëndrave të krijojë partneritet efektiv me kompanitë që bashkëpunojnë. Qendrat multifunksionale të AFP do të kenë potencial për të ofruar produkte të kualifikimit dhe shërbime sipas kërkesave aktuale të tregut madje edhe të mbështesin kompanitë e vogla gjatë rritjes dhe zhvillimit të tyre. Në programet pilot për profesionet premtuese, përvojat e para në realizimin e qasjeve bashkëpunuese të trajnimit mund të përdoret për të zhvilluar një strategji gjithëpërfshirëse e cila përfundimisht mbulon gjithë arsimin dhe formimin profesional si edhe peisazhin e trajnimit .
Ajo që nevojitet është angazhimi i të diplomuarve në AFP dhe i kompanive, duke përfshirë dhomat e tregëtisë dhe shoqatat, për të punuar në mënyrë të hapur së bashku si partnerë të barabartë dhe për të krijuar një situatë të favorshme. Sa më shpejt që kompanitë të jenë të gatshme të rekrutojnë të diplomuarit nga AFP dhe ofrojnë atyre vende pune, aq më arsimi dhe formimi profesional do të jetë përsëri një shteg i vlefshëm për karrierë për brezin e ri . Përveç kësaj një kualifikim pas shkollës së mesme duhet të ofrohet për të patur një çertifikatë Titulli “Mjeshtër” ka një reputacion shumë pozitiv në Shqipëri dhe që si edhe në Gjermani, sipas kuadrit të kualifikimit kombëtar, është i njëjtë me nivelin Bachelor."

Cila është mbështetja që Gjermania po i jep Shqipërisë për të ngritur një arsim profesional dual ose ndryshe ku teoria të jetë e lidhur mgushtë me praktikën?

Winfried Heusinger: "Programi aktual i bashkëpunimit gjerman në fushën e Punësimit dhe AFP ka titullin: "Arsimi dhe Formimi Profesional i përshtatshëm për tregjet kombëtare dhe evropiane të punës". Qëllimi këtij programi, 2010- 2016, është të mbështesë cilësinë e AFP në sektorë dhe rajone të përzgjedhura që si të rriturit ashtu edhe të rinjtë që kryejnë kurse treinimi të jenë të aftë të punësohen në tregjet kombëtare dhe europiane të punës. Programi ka tre komponentë dhe një përqasje në tre nivele – micro, të mesëm dhe makro- në sektorin e AFP. Në nivelin e strategjisë kombëtare programi mbështet zhvillimin koherent të tregut të punës të orientuar nga politikat e AFP. Ky ndërtim kapacitetesh synon të forcojë shanset e Shqipërisë për anëtarësim në BE duke përfshirë të gjithë aktorët kryesorë. Skemat pilote shërbejnë si modele së pari për kryerjen e reformave dhe më pas për grupet e margjinalizuara të shoqërisë. Për momentin, është duke u kryer një studim nga GIZ dhe Fondacioni Europian për Treinimet për të patur një vështrim të përgjithshëm të situatës dhe përformancës së gjithë shkollave të AFP në Shqipëri. Shkollat e AFP në Shqipëri do të menaxhohen në të ardhmen na Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë."