1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Arsimi dhe biznesi" - sfidat e arsimit profesional në Shqipëri

Arsimi i lartë e ai i mesëm profesional në Shqipëri kanë mbetur prapa ritmeve të zhvillimit të biznesit dhe kërkesave të tregut të punës. Konferencë e Deutsche Welle-s në kuadër të panairit gjermano-austriako-zviceran.

Pamje nga konferenca e Deutsche Welle-s në Tiranë

Pamje nga konferenca e Deutsche Welle-s në Tiranë

Sa e aftë është shkolla e lartë dhe ajo e mesme profesionale në Shqipëri të plotësojë kërkesat e tregut të punës dhe të bizneseve?

Këtë pyetje ngritën në diskutimet e tyre drejtues në fushën e arsimit të lartë dhe profesional, të institucioneve dhe projekteve gjermane në këtë fushë, përfaqësues nga qeveria, shoqatat e biznesit, studentë dhe të rinj.

Faktorët që ndikojnë në prapambetjen e arsimit profesional

Pjesëmarrësit ishin të një mendjeje se arsimi i lartë në përgjithësi dhe ai profesional në veçanti kanë mbetur prapa zhvillimit të biznesit dhe kërkesave të tregut të punës. Në këtë situatë kanë ndikuar një sërë faktorësh si mbijetesa nga regjimi i kaluar i strukturave të vjetra në shkollat e formimit profesional, të cilat nuk i përgjigjen zhvillimit të sotëm të ekonomisë dhe kërkesave të tregut. Një faktor tjetër është familja, që nuk i nxit të rinjtë të ndjekin shkolla profesionale. Në Shqipëri vetëm 15% e maturantëve shkojnë në shkolla profesionale, kurse në Europë 40%.

Maturantët në Shqipëri preferojnë studime në degë te tilla si marrëdhënie ndërkombëtare apo shkenca politike që konsiderohen "në modë", por për të cilat nuk ka kaq vende pune dhe kërkesë në treg. Mospreferenca për shkollat profesionale qëndron edhe në bazën e tyre të varfër materiale, në një staf pedagogjik të pakualifikuar dhe të pamotivuar për shkak të pagave të të ulta. Por në peisazhin e arsimit profesional dhe të ofertave që ky arsim i jep kërkesave të biznesit dhe tregut të punës në Shqipëri ka edhe zhvillime pozitive, që mund të përdoren si modele.

Eksperti gjerman Jürgen Fischer

Eksperti gjerman Jürgen Fischer

Shkolla e formimit profesional në Kamëz

Juergen Fischer, ekspert gjerman i CIM, në këtë shkollë të mesme thotë se atje janë krijuar mundësitë për një kombinim të formimit profesional me punën në praktikë dhe më pas në aplikimin e njohurive në kompani biznesi.

“Me partnerë nga Gjermania dhe mbështetjen e komunës së Kamzës, një ndihmë të vogël nga Ministria e Arsimit kemi arritur të vendosim standarte evropiane. Por procesi për të çuar përpara arsimin profesional në Shqipëri ecën me hapa shumë, shumë të ngadalshme” thotë ai.

Gjuhët e huaja – një mundësi më shumë në tregun e punës

Në formimin profesional dhe në rritjen e shanseve për t'iu përgjigjur kërkesave të tregut dhe të biznesit në një ekonomi globale një rol të rëndësishëm luajnë edhe gjuhët e huaja. Brigitta Grauguenter, drejtore e Institutit Goethe në Tiranë, i i cili merr pjesë në panairin gjermano-austriako-zviceran me nje stendë të vetën, diskutoi në këtë konferencë mundësitë që u hap të rinjve dhe të rejave shqiptare për t'u punësuar mësimi i gjermanishtes. “Mbi 100 milionë njerëz në Evropë flasin gjermanishten si gjuhë amtare. Gjermanishtja është gjuhë e dytë e huaj pas anglishtes. Kurse në gjithë Europën Lindore, gjermanishtja është gjuha e dytë e rëndësishme e huaj, pas anglishtes”, tha Brigitte Grauguenter.

Aspirata e Shqipërisë për të qenë anëtare e BE-së, ku nuk flitet më për gjuhë amtare por për të ashtuquajturn “shumëgjuhësi” është një arsye më shumë për të mësuar gjuhët e huaja për të bërë të mundur komunikimin mes njerëzve dhe rritur mundësitë e punësimit të shqiptarëve. Konferenca "Arsimi dhe biznesi” e organizuar nga Deutsche Welle u drejtua nga Pandeli Pani, redaktor në programin shqip në Bonn.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi