1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spenden für Al Kaida

21 Korrik 2011

Arabia Saudite konsiderohet si aleat strategjik i SHBA-së. Në të njëjtën kohë dyshohet se në këtë vend janë burimet kryesore të të ardhurave për financimin e rrjetit terrorist Al Kaida.

https://p.dw.com/p/120CE
Partneritet i vështirë: Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, dhe mbreti saudit Abdullahu, gjatë një takimi në qershor 2009
Partneritet i vështirë: Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, dhe mbreti saudit Abdullahu, gjatë një takimi në qershor 2009Fotografi: AP

Kur në qershor 2009, presidenti i porsazgjedhur i SHBA-së, Barack Obama, gjatë vizitës së tij në Lindjen e Mesme, u ndal në Riad, ai nuk i kurseu fjalët lëvduese për dinastinë mbretërore saudite. Dy vendet «nuk janë vetëm partnerë ekonomikë, por edhe strategjikë», i tha Obama me një ton veçanërisht miqësor mbretit saudit, Abdullah-ut, dhe lavdëroi me mirësjellje «mençurinë dhe përzemërsinë» e tij.

Por po t'u besojmë dokumenteve të fshehta të SHBA-së të publikuara ndërkohë në Wikileaks, ministrja e jashtme e Obama-s, Hillary Clinton, qysh atë vit kishte ardhur në një vlerësim jo dhe aq me komplimenta për sauditët: «Është një sfidë e vazhdueshme të bindësh zyrtarët e Arabisë Saudite që financimin e terrorizmit ta trajtojnë me përparësi strategjike», thuhet të ketë shkruar e zemëruar Clinton-i në një shënim qeveritar. Kritika e saj arrinte kulmin me konstatimin se: «Paratë nga Arabia Saudite janë burimet më të rëndësishme financiare të grupeve terroriste sunite në mbarë botën».


Aleat me dy fytyra

Konstatim dëmi pas një sulmi terrorist në Riad, në vitin 2003: Edhe Arabia Saudite është e prekur nga terrorizmi
Konstatim dëmi pas një sulmi terrorist në Riad, në vitin 2003: Edhe Arabia Saudite është e prekur nga terrorizmiFotografi: picture alliance/dpa

Kundërshtia ndërmjet deklaratave të Obama-s dhe Clinton-it është tipike për marrëdhëniet komplekse mes dy vendeve. Nga njëra anë, Arabia Saudite për SHBA-në nuk është vetëm furnizuesi kryesor me naftë nga Lindja e Mesme, por SHBA-ja e vlerëson atë edhe si kundërpolin strategjik ndaj influencës së rritur të Iranit dhe si një vend që merr pjesë me nisma diplomatike në zgjidhjen e konflikteve rajonale.

Nga ana tjetër, Arabia Saudite ka shumë gjëra nga ato, që SHBA-ja i kritikon te vendet e tjera: shkeljet e të drejtave të njeriut, mungesa e lirisë fetare, censurime mediesh, diskriminimin e gruas. Shumica e tyre bazohet në ideologjinë shtetërore sunduese, që është vahabizmi, i cili konsiderohet si një nga botëkuptimet më radikale islamiste. Shumë ekspertë për këtë shkak nuk u çuditën kur u bë e njohur që shumica e atentatorëve të 11 shtatorit kishin prejardhje saudite.

Mbreti Abdullah po përpiqet të bëjë disa reforma të kujdesshme, por mes vahabizmit dhe ideologjisë së Al-Kaida-s ka shumë përputhje, konstaton Guido Steinberg, ekspert për terrorizmin dhe islamizmin në Fondacionin Shkenca dhe Politika (SWP) në Berlin. Kjo bën që «sauditë të rinj, shpesh duke marrë si bazë atë që kanë mësuar në universitetet dhe në shkollat e Arabisë Saudite, të shkasin në spektrin ekstremist». Udhëheqja e Arabisë Saudite nuk e pranon këtë afërsi të ideologjisë së vet shtetërore dhe asaj të Al Kaida-s, thotë Steinberg.


Valixhe plot me para

Guido Steinberg nga Fondacioni «Shkenca dhe Politika» në Berlin
Guido Steinberg nga Fondacioni «Shkenca dhe Politika» në Berlin

Akuza që rëndon më shumë është ajo e financimit të terrorizmit. Se a është e vërtetë që shumica e donacioneve për Al Kaida-n vijnë nga Arabia Saudite apo nga shtetet e tjera të pasura të Gjirit, kjo nuk dihet. Disa ekspertë, siç është publicisti Yassin Musharabash që punon për revistën „Der Spiegel“, janë të mendimit se ka korrierë që rregullisht transportojnë «shuma të hollash pesëshifrore» nëpër valixhe nga Arabia Saudite në Afganistan ose Pakistan. Këto para pastaj përfundojnë në kampet e atjeshme terroriste. Por për to nuk janë përgjegjëse organet zyrtare saudite: «Është një thurimë e padepërtueshme organizatash bamirëse, të cilat pjesërisht keqpërdoren me qëllim, pa e ditur as vetë», thotë Musharbash. Por, duhet nisur nga ajo që nëpër organet zyrtare ka individë, që e mbyllin një sy me qëllim, thotë eksperti i Al-Kaida-s. «Kur përfytyron se sa lëvizje ka mes Arabisë Saudite, vetëm për shkak të numrit të madh të migrantëve të punës», plotëson kolegu i tij, Steinberg-u, atëherë është «thuajse e pamundur» që këto flukse parashë të ndiqen apo të ndalen.

Eksperti i Al-Kaida-s Yassin Musharbash
Eksperti i Al-Kaida-s Yassin Musharbash

Zemërgjerësia dhuruese e sauditëve ndaj grupeve militante ka traditë që nga vitet 1980-të, kur disa arabë të pasur të Gjirit me shuma të mëdha parashë përkrahnin luftën e të ashtuquajturve muxhahedinë kundër pushtuesve sovjetikë në Afganistan. Osama bin Laden-i në atë mes luajti një rol kyç para se të prishej përfundimisht me dinastinë mbretërore saudite në vitet 1990-të. Asokohe, thotë eksperti i terrorizmit, Guido Steinberg, muxhahedinët patën marrë shumë përkrahje nga qarqet zyrtare saudite. Por, pas atentateve të 11 shtatorit, organet zyrtare i mbyllën shumë organizata gjysmë-shtetërore si fondacionin «Al-Haramein», «sepse nëpërmjet tyre, të paktën tërthorazi, rridhnin para në organizatat terroriste ose militante». Nuk ishte vetëm presioni amerikan ai që i bëri sauditët të ndryshojnë mendim, por edhe fakti, që vendi që nga viti 2003 u kthye edhe vetë në cak sulmesh terroriste. Sot «nuk mund të dëshmohet më» as edhe ndonjë mbështetje e qëllimshme pasive, thotë Steinberg-u. Politika zyrtare e sauditëve në këtë drejtim është bërë «në tërësi më e qartë». Por ajo që ende nuk është sqaruar është se a mjaftojnë mekanizmat aktuale kontrolluese.


Donacione edhe nga Evropa

Përkrahje financiare Al-Kaida nuk merr vetëm nga dhurues të kamur të Arabisë Saudite dhe rajonit të Gjirit. Me anë të internetit dhe lidhjeve personale, rrjeti terrorist ka mbledhur në të gjithë botën para nga ithtarët e vet, raporton Yassin Musharbash. Edhe në Evropë. Një burim i ri financimi i Al-Kaidës është zbuluar në rajonin e Magrebit: Aty militantët grabisin shtetas të huaj dhe kërkojnë para për lirimin e tyre.

Autor: Khalid El Kaoutit / Anila Shuka

Redaktion: Vilma Filaj-Ballvora