1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Freiheit in Angst

8 Gusht 2011

Lufta në Irak në 2003 konsiderohet si një nga pasojat kryesore të sulmeve terroriste të 9/11. Një irakian kujton, se si euforia e fillimit për rëzimin e Sadam Huseinit u zëvendësua nga tmerri prej kaosit dhe dhunës.

https://p.dw.com/p/12Byo
Aqeel Ibrahim LazimFotografi: DW

Lajmi për sulmet terroriste të 11 shtatorit e gjeti Aqeel Ibrahim Lazimin në mes të përgatitjeve për martesë. Dentisti nga Basra, i cili sapo kishte përfunduar studimet, po diskutonte me të fejuarën detajet e dasmës, kur shkarazi syri i kapi pamjet dramatike, që transmetonte televizori në cep të dhomës së ndenjes: kulla që digjen, njerëz që vdesin – skena të tmerrshme dhe që dukeshin të pavërteta, nga një vend i largët, të cilin ai vetë nuk e kishte vizituar kurrë, e të cilin propaganda zyrtare e vendit të vet e quante «forcë armiqësore». Gradualisht ai filloi të kuptonte. Nuk ishin skenat brutale të ndonjë filmi hollivudian ato që po shfaqeshin prej një farë kohe në televizionin shtetëror të kontrolluar nga Sadam Huseini. Ato ishin pamje reale.

«Unë mendova se ky ishte apokalipsi»

Bildergalerie Irak 9/11
«Unë mendova, se ky ishte apokalipsi»Fotografi: DW

«E kam të vështirë ta përshkruaj, se çfarë ndjeja në ato momente», thotë Lazimi dhjetë vjet më vonë. «Ishte një përzierje mes habisë, mëshirës dhe shokut. Mendova se ky ishte apokalipsi, shkatërrimi i plotë i qytetërimit njerëzor».

Që atentatet e Amerikës jo vetëm do të linin në hije dasmën e tij, por edhe do t'i sillnin vendit të tij një luftë të re dhe rrëzimin e diktatorit Sadam, 35vjeçari i sotëm atëherë nuk e merrte me mend. Ai ndiente indinjatë, por edhe pasiguri. «Këto ishin sulme ndaj civilëve e kur njeriu ka mëshirë, nuk pyet se çfarë prejardhje apo kombësi kanë viktimat», rrëfen irakiani më pas. «Si njeri, isha shumë i trishtuar për këto viktima. Por disi ishte një ndjenjë e pazakontë mëshire, sepse dorasit e theksonin që ishin myslimanë».

A i parandiente regjimi në atë moment pasojat e terrorit të Al Kaida-s për Irakun? Lazimi gjithsesi natën duke u gdhirë 12 shtatori vuri re një nervozizëm të madh tek pushtetarët. Kudo nëpër rrugë ishin shfaqur krejt papritur forcat e sigurisë dhe anëtarë të armatosur të partisë sunduese Baath, kujton ai. «Thua se Iraku vetë mund të bëhej cak sulmesh të tilla»,

Bildergalerie Irak 9/11
Aqeel Ibrahim Lazim punon sot si mjek dentist në BasraFotografi: DW

Gjatë ndarjes festës së beqarisë dhe dasmës nuk pati tjetër temë bisede. «Unë dëgjoja më shumë lajmet se urimet», kujton Lazimi, i cili sot punon si docent për stomatologji në Universitetin e Basrës dhe përveç kësaj është pronar i një klinike të vogël dentare. Regjimi bëri atëherë disa mitingje për të bërë të njohur qëndrimin e Sadam Huseinit. Shumë qytetarë ishin të detyruar të merrnin pjesë, kujton Lazimi. Si shumica e shiitëve, ai që atëherë ishte kritik ndaj regjimit të sunitit Sadam Husein.

Shenjat e një lufte në prag

Së shpejti u bë gjithnjë e më e qartë, se, si pasojë e sulmeve të 11 shtatorit, edhe Iraku rrezikohej të futej në një luftë të re. Saddam Huseini u akuzua nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbajtje të armëve të asgjësimit në masë. U fol edhe për lidhje të drejtpërdrejta me Al Kaidën. Që të dyja më vonë dolën që ishin të gabuara, por për irakianët ato ishin shenja të qarta të një konflikti të ri, kujton Lazimi. I paharruar mbetet për të një fjalim i ish-presidentit amerikan: «Bush-i u thoshte të gjithë pushtetarëve në mbarë botën: Ose jeni me ne, ose kundër nesh. Por qeveria jonë e shikonte SHBA-në si një armik të betuar, sepse i ishte përgjigjur me luftë invazionit të Irakut në Kuvajt».

Lufta e re filloi një vit e gjysmë më vonë, më 19 mars 2003. Lazimi edhe sot e kësaj dite e kujton me ndjenja të dyzuara: «Shumë irakianë në rrethin tim ishin kundër invazionit ndaj vendit tonë», thotë Lazimi. «Në të njëjtën kohë ne të gjithë shpresonim që të rrëzohej Sadami». Dhe kjo ndodhi qysh pas 22 ditësh dhe nga shumë qytetarë u prit gati me eufori. «Më në fund e hoqëm qafe këtë regjim», kujton Lazimi. «Por ishte një ndjenjë e trishtuar tek shihje trupa pushtuesish nëpër qytetet tona».

Bildergalerie Irak 9/11
Në Basra gjendja e sigurisë vazhdon të jetë problematikeFotografi: DW

Rrëzimi i Sadam Huseinit i solli Lazimit dhe bashkatdhetarëve të tij liri të panjohura deri atëherë. «Ishte e pabesueshme: Secili mund të thoshte mendimin e tij». Edhe nga pikëpamja profesionale atij i eci mirë. Një klinikë të vetën dentare – në kohën e tarafllëkut të Sadamit kjo për të as që mund të mendohej.

Një vend zhytet në kaos

Çmimi i lirive të fituara ama ishte i lartë dhe i përgjakshëm: vendi u zhyt për vite me radhë në kaos dhunë e terror. Sunitët dhe shiitët masakronin njëri-tjetrin, askush nuk ishte më i mbrojtur nga sulme dhe grabitjet. «Kjo nuk ishte forma e lirisë që kishim ëndërruar ne», thotë Lazimi. «Kjo ishte një liri ku mungonte ligji». Me dhjetëra mijëra irakianë vdiqën në atë kohë. Gjendja ndërkohë është përmirësuar. Por nuk ka thuajse asnjë familje irakiane që nuk ankohet për viktima.

Bildergalerie Irak 9/11
Nga frika e ndonjë sulmi Lazimi i çon vetë në shkollë dy fëmijët e tijFotografi: DW

Lazimi vetë në vitet e terrorit humbi kushëririn, Muhamedin, që në vitin 2006 u rrëmbye nga të panjohur. Në të gjithë vendin e kërkoi familja atë atëherë: në spitale, roje policie, nëpër morgje. Ishin momente shumë të vështira, thotë Lazimi kur e kujton atë kohë. «Ato salla ishin të mbushura me kufoma. Unë rija i shokuar përpara tyre dhe pyesja veten: Përse janë vrarë gjithë këta njerëz?» Gjithandej kundërmonte era e kufomave të prishura. «Organet zyrtare nuk ishin më në gjendje të siguronin frigoriferë». Kushëriri i tij dikur u shpall i vdekur, por trupi nuk u gjet kurrë.

Kur Lazimi shikon sot pamje nga sulmet e 11 shtatorit, atëherë atij detyrimisht i shkon në mendje, se sa shumë i traumatizon terrori të mbijetuarit. Në Irak ka shumë fëmijë, që janë rritur në një klimë lufte, dhune dhe terrori. «Ata gjithçka e kanë përjetuar nga afër dhe janë shumë të frikësuar për veten». Frikë nga rrëmbimet, frikë nga vrasjet, frikë nga autobombat me shumë të vrarë». Dy fëmijët e tij, Muhamedi dhe Sarah, ai edhe sot i çon në shkollë vetë çdo ditë.

Autor: Munaf al Saidy, Basra
Redaktoi: Anila Shuka