1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Angela Merkel pret kryeministrin grek Aleksis Tsipras

Volker Wagener23 Mars 2015

Merkel dëshiron të gjejë zgjidhje për situatën greke në dukje të pashpresë. Por as kancelarja gjermane nuk i zgjidh dot shpejt problemet strukturore të Greqisë. Në shumë aspekte duhet të ndryshojë mentaliteti i vendit.

https://p.dw.com/p/1EvL8
Fotografi: Reuters/F. Lenoir

Të gjithë sytë tani janë përqëndruar në Berlin, ku kancelarja gjermane Angela Merkel pret kryeministrin grek Aleksis Tsipras. Kjo jo vetëm sepse Gjermania është ekonomikisht vendi më i rëndësishëm i BE-së, por edhe për arsye politike. Në traditën e Helmut Kohl, Merkeli dëshiron të shpëtojë euron dhe ta mbajë të bashkuar BE-në. Një sprovë kjo për politikën e re të jashtme gjermane, e cila nuk dëshiron vetëm të bashkohet me të tjerët, por edhe të paraprijë. Greqia tani është bërë çështje e shefave, sepse në nivel teknik atmosfera e punës mes ministrave të Financave Wolfgang Schäuble dhe Yanis Varoufakis është shkatërruar prej disa javësh. Merkel dëshiron të gjejë një zgjidhje për situatën në dukje të pashpresë.

Dobësitë sistemore të Greqisë

Alexis Tsipras, kryeministri grek, po sjell me vete diçka në Berlin. Parlamenti grek miratoi nxitimthi në fundjavë një ligj të ri për taksat për të siguruar më shumë para për arkat e shtetit. Rreth 3.7 milionë grekë i kanë borxh shtetit të tyre taksa apo kontributet e sigurimeve shoqërore.Po ashtu edhe pothuajse 450.000 kompani. Në total këto e dëmtojnë buxhetin e Athinës me rreth 76 miliardë euro. Rreth nëntë miliardë syresh pritet të grumbullohen tani duke i joshur qytetarët me një ofertë. Kush paguan deri në fund të marsit, i falen gjobat dhe interesi, dhe i lejohet të paguajë me këste. Operacioni quhet "bëhu i ndershëm".

Çështja e tatimeve është problem mjaft i ndjeshëm në Greqi dhe tregues i mentalitetit të vendit. Prej vitesh në shoqërinë greke është i ngulitur zakoni për t'ju shmangur taksave shtetërore. Sidomos në sektorin e shërbimeve "kursimet tatimore" janë mjaft të zakonshme . Po ashtu shumë grekë nuk e paguajnë plotësisht TVSH-në. Po ashtu në Greqi mungojnë shpesh kasat elektronike. Nga ana tjetër milionerët dhe miliaderët taksohen vetëm me 9%.

Një problem themelor për Greqinë është tendenca e madhe për ta parë shtetin si bamirës. Një ndër pesë vende pune është në shërbimin publik. Që nga viti 1980, shteti ka qenë bujar ndaj qytetarëve. Shembujt më skandalozë: pensionistët marrin 14 pensione në vit dhe punonjësit e parlamentit 16 paga mujore nä vit. Në këtë sfond, shumë grekë i konsiderojnë tani masat e ashpra të kursimit si një imponim. Në pesë vitet e fundit në sektorin publik janë shkurtuar 370.000 vende pune.

euro finanzen schäuble varoufakis finanzminister griechenland
Fotografi: picture alliance

Disiplina fiskale e Gjermanisë

Tani të zemëruar në lidhje me qëndrimin e Greqisë ndaj huadhënësve nuk janë vetëm politikanët gjermanë por gjithnjë e më shumë edhe gjermanët e zakonshëm. Vetëm një e treta e gjermanëve shprehin mirëkuptim për një shtyrje të afatit për kthimin e kredive. 80 për qind mendojnë se Greqia nuk është më shumë e besueshme. Pothuajse dy të tretat e të anketuarve mendojnë madje që në qoftë se Athina nuk u përmbahet masave të kursimit, Greqia duhet të dalë nga eurozona.

Sidomos ministri i Financave Wolfgang Schäuble është për një kurs të ashpër kursimi. Ministri Schäuble ia ka dalë përmes kursimeve, disiplinës dhe rregullat që Gjermania të ketë një buxhet të balancuar dhe pa huamarrje të reja. Pikërisht këto gjëra duket se qeveritë greke ka vite që nuk i njohin. Por me sa duket parimit grek sipas motos "blije tani, paguaje më vonë" po i vjen fundi. Angela Merkel vështirë se mund t'i thotë ndonjë gjë tjetër Alexis Tsipras.