1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ambasadorët e BE-së: Shqipëria të angazhohet në sektorët me progres të limituar

Arben Muka7 Nëntor 2008

Diplomatët europianë në Tiranë kanë theksuar nevojën e përmirësimeve të mëtejshme në sistemin e drejtësisë, si dhe i kanë konsideruar zgjedhjet e ardhshme parlamentare "një sfidë për integrimin e Shqipërisë në BE".

https://p.dw.com/p/FpO9
Pamje nga TiranaFotografi: DW / Cama


Qëndrimi i ambasadorëve të BE në Tiranë shikohet më shumë si një tërheqje vëmendje për leximin real të mesazheve, që vijnë nga Raport Progresi 2008 për Shqipërinë. Ata kanë bërë vlerësime për një sërë reformash, të cilat janë arritur të realizohen me konsensus, si dhe tregues pozitivë në plotësimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-nö. Por gjithashtu ata kanë nënvizuar pjesët më problematike të Raport Progresit, siç janë sistemi i drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, rekrutimi i personelit në administratë, zgjedhjet e ardhshme parlamentare etj.

Në deklaratën e tyre të përbashkët ditën e premte diplomatët europianë janë shprehur se "sistemi gjyqësor po funksionon dobët për shkak të mangësive në pavarësi, përgjegjësi, transparencë dhe pamajftueshmërisë se një strategjie të duhur për reformat në gjyqësor". Sa i takon luftës kundër krimit të organizuar ata kanë vërejtur progres të limituar dhe ky mbetet tepër serioz për vendin. Gjithashtu dhe korrupsioni cilësohet po si një problem serioz. "Lufta kundër korrupsionit, veçanërisht në drejtësi, por edhe ne të tjera fusha, mbetet një prioritet kyç për BE", thuhet mes të tjerave në deklaratë.

Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 janë etiketuar si "një sfidë për integrimin e Shqipërisë në BE".

Ambasadorët kanë qënë kritikë dhe për mënyrën e rekrutimit të punonjësve në administratën publike, si dhe largimet e personelit, që kanö qënë të kualifikuar nga një sërë programesh ndërkombëtare. Kjo ka qënë më evidente në strukturat e policisë, por dhe sektorë të tjerë të administratës. Sipas deklaratës "një nga sfidat më të rëndësishme për Shqipërinë është që të ndërtojë dhë të fuqizojë pushtetin administrativ, si dhe zbatimin e kritereve për të punësuar njerëz kompetentë".

Në deklaratën e përbashkët të ambasadorëve të BE-së theksohet dhe angazhimi për të vazhduar ndihmën në ato fusha, ku progresi është i limituar dhe mbështetjen për integrimin në BE.