1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aleanca opozitare dëshiron të sfidojë Kremlinin

Yulia Vishnevetskaya, Markian Ostaptschuk24 Prill 2015

Në Rusi disa forca opozitare kanë krijuar një aleancë. Ato duan të dalin së bashku në zgjedhjet e ardhshme. Përfaqësuesit e aleancës së re kanë frikë se Kremlini do t'i pengojë.

https://p.dw.com/p/1FE1E
Mihail Kasyanov dhe Aleksei Navalny janë përfaqësuesit më të njohur të aleancës së re.
Mihail Kasyanov dhe Aleksei Navalny janë përfaqësuesit më të njohur të aleancës së re.Fotografi: picture-alliance/Itar/Denis Vyshinsk

Shumë përpjekje për të bashkuar forcat opozitare në Rusi, kanë qenë të pasuksseshme në të kaluarën. A do të kenë sukses kësaj rradhe? Të shtunën gjashtë parti themeluan një aleancë opozitare jashtëparlamentare. Partia liberaldemokratike RPR-PARNAS, e udhëhequr nga ish kryeministri rus Mihail Kasjanov, Partia e Progresit e kritikut të njohur të qeverisë Aleksej Navalni, Iniciativa Qytetare, Zgjedhja Demokratike, Aleanca 5. Dhjetori dhe Partia Libertariane. Aleanca mbështetet edhe nga organizata Rusia e Lirë e kritikut të Kremlinit, që jeton në zvicër, Mihail Kodorkovski.

RPR-Parnas është baza e aleancës

Por vetëm partia RPR-Parnas mund të paraqesë aktualisht kandidatët në zgjedhje, pa pasur nevojë të mbledhë nënshkrime në popullsi. Kjo falë një fitoreje zgjedhore të kundërshtarit tashmë të vrarë të Putinit, Boris Nemzov, në rajon Yaroslavl. "Nëse një parti ka së paku një anëtar në një asamble rajonale, ajo sipas ligjit mund të konkurrojë me listën e saj në zgjedhjet parlamentare pa kushte të tjera", i tha Deutsche Welles Ilja Yashin, një anëtar drejtues i partisë.
Prandaj aleatët mund ta përdorin partinë RPR-Parnas, si bazë ligjore për bashkimin e tyre. "Kështu kemi gjetur një rrugë për të krijuar një bllok zgjedhor, që është i ndaluar zyrtarisht. Por faktikisht ne krijojmë kështu një aleancë", tha Yashin. Vrasja e Boris Nemzovit i ka shtyrë në plan të dytë ambiciet personale të udhëheqësve të opozitës, të cilat pengonin krijimin e një aleance. "Kjo na ka lidhur së bashku në shumë drejtime", thotë politikani.

Ilja Jaschin në intervisteë me DW para portretit të Nemzovit të vrarë
Ilja Jaschin në intervisteë me DW para portretit të Nemzovit të vrarëFotografi: DW/Y. Vishnevetskaya

Zgjedhjet rajonale sfida e parë
Aleanca do të marrë pjesë në zgjedhjet rajonale në shtator të këtij viti para zgjedhjeve parlamentare në 2016. Gjithsej duhet të përcaktohen guvernatorët e 15 rajoneve dhe deputetët e njëmbëdhjetë parlamenteve rajonale. Aleanca do të konkurrojë vetëm në rajonet Novosibirsk, Kostroma dhe Kaluga. Ato nuk janë zgjedhur rastësisht, sepse ato reflektojnë diversitetin e vendit, deklaroi Alexei Navalny para gazetarëve në Moskë. Novosibirsk karakterizohet nga potenciali i tij shkencor, Kostroma është një rajon i varfër dhe Kaluga një qendër industriale. Për më tepër në këto rajone pozita e partisë së Kremlinit Rusia e Bashkuar nuk është aq e fortë.
Listat e kandidatëve për zgjedhjet rajonale duhet të përcaktohen në mënyrë transparente. Kështu opozita do të mbajë zgjedhje paraprake kombëtare, nëpërmjet internetit. Konstantin Merslikin i partisë RPR-Parnas tha në një konferencë shtypi, se kandidatët e opozitës do të konkurrojnë me tema lokale dhe kombëtare. Vladimir Milov, kryetar i partisë Zgjedhja Demokratike, tha se një nga problemet më të mëdha është shpërndarja e pabarabartë e fondeve midis qendrës dhe rajoneve: "Ne do të luftojmë për një rishpërndarje të të ardhurave tatimore. Qendra e Federatës Ruse grabit rajonet", theksoi ai para gazetarëve.

Pengesa nga ana e pushtetit shtetëror

Opozitarët besojnë se Kremlini do të përpiqet të pengojë përfshirjen e aleancës së tyre në zgjedhje. Sergei Davidis, një nga drejtuesit e partisë 5 Dhjetori, ka frikë se partisë RPR-Parnas mund t'i hiqet me ligj statusi i tanishëm. "Pastaj do të duhet të mbledhim nënshkrime. Ose nuk do të mund të grumbullojmë aq sa na duhen, ose komisionet zgjedhore do të gjejnë diçka për të kritikuar listat tona", i tha ai DW.
Ilya Yashin llogarit që pushteti shtetëror do t'i pengojë planet e e opozitës për zgjedhjet paraprake. Megjithatë ai sheh një shans të mirë për të nisur fushatën dhe për të mobilizuar mbështetësit. Ai theksoi se opozita do t'i rezistojë pengesave të autoriteteve dhe do të ushtrojë presion mbi pushtetin shtetëror. Aleanca është e vendosur të marrë pjesë në zgjedhje. "Ne duam, që në parlament të hyjnë përfaqësues të shëndetshëm të forcave demokratike", tha Yashin. Në qoftë se Kremlini nuk do të bllokojë pjesëmarrjen në zgjedhje, opozita e bashkuar do të arrijë të fitojë një pjesë të konsiderueshme të votave dhe pas një kohe të gjatë do të ketë një grup të madh në Parlament. Për këtë ai është i bindur.

Fitorja zgjedhore është jorealiste

Por fitorja e opozitës në kushtet aktuale është megjithatë jo realiste, pohon analisti politik rus, Kiril Rogov. Me Nemzovin, një politikan shumë i njohur, do të kishte qenë i realizueshëm një qëllim i tillë: "Ai do t'i kishte dhënë Aleancës forcë të madhe në zgjedhje. Për më tepër Navalny dhe Kodorkovsky i kanë besuar atij", tha Rogov, duke shtuar: "Detyra kryesore e opozitës tani është të bëjë të qartë se këto zgjedhje nuk do të jenë të ligjshme."
Aleksej Makarkin nga Qendra Ruse për Teknologjitë Politike sheh vështirësi të një lloji tjetër për opozitën. Ai thekson se partia Yabloko nuk i është bashkuar Aleancës. Edhe ajo mund të marrë pjesë në zgjedhje pa lista të reja me nënshkrimet e zgjedhësve. "Si dhe më parë elektorati i opozitës është i ndarë. Një unitet të përkryer nuk do të ketë as kësaj here", thotë eksperti.