1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aktpadije në Baltimore: "Fitore morale"

Gero Schließ4 Maj 2015

Njerëzit në Baltimore e festojnë ngritjen e aktpadijes kundër gjashtë policëve, të cilët bëhen përgjegjës për vrasjen e një të riu, si fitore të një etape. Por shumë mbeten skeptikë.

https://p.dw.com/p/1FJVy
USA Demonstrationen in Baltimore
Fotografi: Reuters/Lucas Jackson

"Baltimore, our Baltimore": Kur njerëzit kënduan himnin e qytetit të tyre së bashku me Baltimore Symphony Orchestra në koncertin e solidaritetit, një ditë pas trazirave të përnatshme, kjo tingëlloi disi sfiduese dhe jo reale.

Baltimore feston

Tri ditë më vonë bota në Baltimore me sa duket është po kaq e gëzueshme dhe harmonike, sa ç'këndohet edhe në himn. Shoferët në automjete bëjnë koncert me buri makinash, njerëzit kërcejnë dhe këndojnë në rrugë. Helikopterët e policisë që rrotullohen mbi ta, papritur nuk duken më kërcënues.

"Kjo është një fitore morale", thotë Edward Watson, pasi prokurorja Marilyn Mosby bëri të ditur se kishte ngritur aktpadi kundër gjashtë policëve, të cilët ajo i konsideron përgjegjës për vdekjen e Freddie Gray. Shoferi i taksisë thotë se është hera e parë që autoritetet e ndjekjes penale ngrenë aktpadi kundër policëve për vrasjen e një qytetari me ngjyrë të zezë. Ai vetë pati parë para disa vjetësh se si policët vranë një të ri të zi në zonën e këmbësorëve. Shumë dëshmitarë patën qenë të pranishëm. Por atëherë nuk u hap asnjë proces gjyqësor. Këtë herë ai nuk u çudit vërtet nga ngritja e aktpadijes. "Qyteti tani është në një atmosferë krejt tjetër", konstaton ai i kënaqur.

Selfie me ushtarë të Gardës Nacionale

Dhe me të vërtetë, qyteti të duket si i shndërruar. Kudo sheh fytyra të gëzuara, që qeshin. Dhe gardistët e Gardës Nacionale, të thirrur nga guvernatori i Baltimore-s, Larry Hogan papritur nuk janë më trupa të huaj të padashur.
Ata janë pjesë e qytetit, thotë një afro-amerikane e re, e cila pozicionohet për një selfie me një gardiste të re. "Me ta unë ndihem më e sigurtë," thotë ajo si argumentim.

Gruaja më e rëndësishme

Për shumicën e njerëzve këtu, prokurorja e re Marilyn Mosby është gruaja më e rëndësishme për momentin. Mossieka Holness e brohoret atë si heroinë. "Baltimore e do Marilyn Mosby"-n shkruhet në pllakatën që mban në dorë ajo. Vetëm asaj i dedikohet që tani gjërat po bëhen më me drejtësi, thotë ajo. Ajo është një grua e guximshme dhe duhet të bëhet kryetarja e ardhshme e bashkisë së qytetit.

Midis njerëzve sheh edhe Nick Mosbyn, bashkëshortin e prokurores. Ai është krenar për gruan e tij, thotë kur e pyesin. Për të kjo ditë është "e rëndësishme për të ardhmen tonë". Ajo mund të jetë edhe "një thirrje zgjimi për Amerikën". Kjo ditë ishte vetëm fillimi. Shumë janë të entuziazmuar, sepse papritur duket e mundur, që të mbrohesh para gjykatës kundër policëve. Për të pakësuar mosbesimin midis policisë dhe komunitetit të zezakëve duhet megjithatë shumë kohë, thotë ai. Fillimisht duhet të ketë një "fazë shërimi". Si masa që krijojnë besimin ai i konsideron edhe kamerat në trup, të cilat duhet të mbajë me vete çdo polic. Edhe presidenti Obama ishte shprehur pro tyre.

Traditë e shtypjes

Jo shumë larg, vullnetarë të "Baltimore Free Farm", ndajnë ushqime të ngrohta. Midis tyre është edhe Genevieve Williams, që do të shprehë në këtë mënyrë solidaritetin me demonstruesit. "Ne jetojmë në një shtet policor," thotë i riu, i cili ka ardhur në Richmond nga Baltimore. Në Amerikë ka një traditë të gjatë të shtypjes së të zezakëve. Ajo që atëherë ishte skllavëria, sot janë burgjet.

Në këtë ditë megjithatë pjesëtarët e Gardës Nacionale nuk duken si shtypës. Në uniformat e tyre ata mbështeten çlirshëm në automjetet e tyre të blinduara. E gjitha duket si "black party". Të gjithë shpresojnë që edhe të mbetet e tillë.

Marilyn Mosby
Prokurorja e re Marilyn MosbyFotografi: picture-alliance/AP Images/K. Hairston