1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aktivisti i përhershëm - Mislim Berisha

17 Tetor 2011

Mislim Berisha u largua nga Kosova në fillim të viteve 90-të. Tani ai jeton në Munih ku punon si këshilltar për imigrantët e rinj.

https://p.dw.com/p/12sIj
Mislim Berisha
Mislim BerishaFotografi: DW/Anila Shuka

Mislim Berisha nuk e përfytyron dot jetën e vet pa u angazhuar për Kosovën. Lindur në vitin 1965 në Kramovik të Rahovecit, në një familje që nuk pajtohej me shtypjen e regjimit serb,  ishte mësuar me përndjekje dhe uzurpime - deri atë ditë, kur ndodhi bastisja brutale në shkollën fillore që sot quhet Faik Konica, ku ai jepte matematikë në sistemin arsimor paralel në Prishtinë: „Pas disa ditësh më erdhi lajmi se nuk lejohesha të punoja më në shkollë, atëherë vendosa të largohem“. 

Prit(j)a suedeze

Stacioni i tij i parë i emigrimit: Småland, Suedi. Që pikërisht aty do të shihte qelitë e burgut nga brenda e do të dërgohej nga policia për kontroll në psikiatri nuk e priste. Megjithëse punët në fillim duket se po shkonin mire. Në Västervik  kishte bërë shumë miq, arriti të hapë një shkollë shqiptare dhe të organizonte kremtime të festave shqiptare derisa ministrja e Migracionit bëri një deklaratë që ia ndryshoi sërish jetën Berishës: “Ajo i quan shqiptarët “hajna me traditë”. Atëherë unë fillova organizimin e protestave deri në greva urie.”

Mislim Berisha në takim me ministren e atëhershme të Jashtme të Suedisë, Margaretha af Ugglas
Mislim Berisha në takim me ministren e atëhershme të Jashtme të Suedisë, Margaretha af UgglasFotografi: Mislim Berisha

Qeveria e djathtë që ishte asokohe në Suedi mori vendim ta dëbonte azilkërkuesin e pabindur. Pasuan 60 ditë izolim, mbasi për shkak të luftës në territorin e ish-Jugosllavisë ishte i pamundur kthimi i refugjatëve me rrugë ajrore në Beograd a Prishtinë. Derisa u gjet një mënyrë për ta kthyer me forcë në Bullgari, me gjithë peticionet dhe protestat e qytetarëve të Västervikut.

Pastaj rifilloi odiseja e arratisjes: Bullgari, Shqipëri, Gjermani, një itinerar që zgjati disa muaj. Sërish jeta filloi nga e para. Kur Berisha tregon për atë kohë, në fytyrën e tij nuk sheh mllef. „Kjo ka qenë ngjarje negative, por më pas ka bërë që ta ndjej veten më të fortë“, bën përmbledhjen ai. Edhe pengun që kishte me shtetin suedez tani e ka hequr: Në vitin 1996 pati rastin t'i kthehej çështjes së tij në një bisedë të shtruar me ministren e Jashtme të asaj kohe në Suedi Margaretha af Ugglas, në një takim të Unionit Paneuropian, ku vazhdon të jetë aktivist.

Rifillim më i mbarë në Gjermani

Zyra e Mislim Berishës në Munih është e madhe dhe plot dritë. Përballë derës janë dy tryeza pune të vendosura përballë njëra-tjetrës pranë dritares: kolegia e tij nga Shqipëria në atë moment ndodhet me pushime. Mbas karriges së Mislimit është një tabelë prej tape e varur në mur: në të janë kapur me kunja të vogla një numër i madh fotografish me ngjyra. Në cepin e majtë të dhomës është një kënd pritjeje. Që prej disa vitesh ai këshillon të huajt me porosi të shoqatës humanitare Arbeiterwohlfahrt. Një punë që e filloi vullnetarisht, e ndërkohë ka përfunduar edhe studimet master për menaxhim social.

Mislim Berisha në takim me Ibrahim Rugovën
Mislim Berisha në takim me Ibrahim RugovënFotografi: Mislim Berisha

“Puna vullnetare m'i ka hapur perspektivat këtu”, rrëfen Berisha. E unë angazhimin vullnetar e kam pas mësuar që në Kosovë. Ai e di nga përvoja e tij se sa e rëndësishme është një këshillë për dikë të porsaardhur. “Një gjë që më bren akoma: kam qëndruar këtu nëntë muaj pa punë dhe nuk e kam vizituar as një kurs të gjuhës. Ka qenë një mal i madh me informacione e nuk dija se ku është fillimi e mbarimi”, kujton.

Edukimi i fëmijëve është sfida e mërgimit

Tani është ndryshe. Tani shoqëria gjermane e dërgon çdo të sapoardhur në kurs integrimi, politika ka ndryshuar prej disa vitesh, pasi u vu re që një numër i madh imigrantësh, shumë syresh të rritur në Gjermani, nuk e zotëronin gjermanishten aq mirë. Kjo politikë indiferente ka lënë gjurmë edhe te shumë shqiptarë të rinj, thotë Berisha: “Para disa vitesh kërkova nëpërmjet listës së Unionit të Studentëve një shqiptar që është rritur në Gjermani dhe studion. Askush nuk m'u përgjigj”.

Humbja e motivimit për t'u zhvilluar në një botë që nuk të duket e jotja, kjo është një frikë që e kap herë pas here edhe kur sheh dy djemtë e tij, të cilët pas disa vitesh do të hyjnë në pubertet. „Edukimi i fëmijëve është sfida më e madhe e mërgimit“, thotë. „Përgjegjësia e edukimit të fëmijës këtu bie vetëm mbi prindin. Në Kosovë ishte më lehtë. Aty të ndihmonte edhe shoqëria“, kujton.

Në mëdyshje të përhershme

Herë-herë i shkon mendja të kthehet në Kosovë. Një banesë në Prishtinë e ka blerë, në Munih ende. “Më mungon shoqëria e hershme, mendimi i shokëve. Këtu nuk kuptohem aq shpejt nga kolegët sikur të isha në Kosovë. Nganjëherë këtu njeriu duhet të jetë shumë i saktë, përndryshe gjërat dështojnë”, thotë. Në Kosovë është më ndryshe.

Mislim Berisha në zyrën e tij. I gatshëm për të ndihmuar të huajt e sapoardhur
Mislim Berisha në zyrën e tij. I gatshëm për të ndihmuar të huajt e sapoardhurFotografi: DW

Kosova ka qenë gjithmonë pjesë e jetës së tij. Në Bavari Berisha kujdeset edhe për mbarëvajtjen e mësimit të shqipes për fëmijët e migrantëve, organizon takime kulturore dhe udhëtime për në qytetet shqiptare në Ballkan. Mbas shpalljes së pavarësisë ai me kolegë të tjerë krijuan shoqatën e miqësisë kosovaro-bavareze edhe me ndihmën e eurodeputetit kristiansocial Bernd Posselt, raportues për Kosovën në grupin parlamentar të Partive Popullore Evropiane.

Pushimet i kalon të ndara: një pjesë në Kosovë, një pjesë në Shqipëri, tek familja e së shoqes. Ashtu e ndarë mes Gjermanisë dhe trojeve shqiptare, Kosova e Shqipëria për të janë një, është edhe mendja e Berishës. Por për t'u kthyer tani është herët, mendon. Ai e di se ajo çka i mungon në Munih nuk gjendet më as në shoqërinë e sotme kosovare. “Aty ekziston një egërsi shoqërore: korrupsion, pabesim në ekonomi. Ajo të krijon pasiguri.”  Prandaj edhe kthimi është shtyrë pa afat.  “Iluzione nuk kam, ndoshta nuk do të kthehem kurrë”, thotë – jo pa keqardhje.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Lindita Arapi