1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aktivisti i Kobanes: "Më shumë armë, jo më shumë luftëtarë"

Julia Hahn28 Tetor 2014

Kurdët akoma i rezistojnë në Kobane organizatës terroriste IS. Pa ndihmë të mëtejshme megjithatë qyteti do të bjerë, paralajmëron Zara Misto. Aktivisti kurd i medieve raporton nga qyteti. Deutsche Welle foli me të.

https://p.dw.com/p/1Dcra
Lufta per Kobanen 21.10.2014
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/Lefteris Pitarakis

DW: Zoti Misto, na vijnë informacione të ndryshme për atë se kush është në përparësi në Kobane. Çfarë mund të na thoni?

Zara Misto: IS ndodhet në avancim dhe po bëhet gjithnjë e më e fortë. Ata na sulmojnë nga tri anë - nga Jugu, nga Perëndimi dhe nga Lindja. Dhe ata marrin mbështetje nga kështjellat e tyre në Siri, për shembull nga Al-Rakka. Vazhdimisht vijnë luftëtarë të rinj dhe ata sjellin me vete edhe tanke dhe armë të rënda.

Me se mund t'u përgjigjen luftëtarët kurdë atyre?

Ata janë të pajisur me keq se IS, por këtu ne jemi shumë të varur nga sulmet nga ajri të SHBA. SHBA dhe aleatët e tyre duhet t'i bombardojnë në mënyrë më të fokusuar rrugët e furnizimit të IS. Po të mos marrim së shpejti më shumë mbështetje, atëherë Kobane do të bjerë.

Mbështetje do të vijë: 150 Peshmerga nga Iraku i Veriut dhe 1300 luftëtarë të Ushtrisë së Lirë Siriane (FSA) do të mbërrijnë së shpejti në Kobane. Çfarë prisni prej tyre?

Ne gëzohemi për mbështetjen nga Peshmerga dhe shpresojmë që Peshmerga të mbërrijë së shpejti këtu. Edhe ofertën ndihmëse të FSA ne tani e pranuam. Por mbrojtësit kurdë këtu kanë theksuar shumë herë që në radhë të parë kanë më shumë nevojë për armë, para së gjithash për armë të rënda. Luftëtarë në fakt ata kanë mjaft.

IS e ka rrethuar Kobanen dhe përpiqet ta bllokojë qytetin nga ana turke. Si arrini t'i rezistoni këtij rrethimi të vazhdueshëm?

Në Kobane dhe rreth Kobanes vazhdojnë të jetojnë ende shumë njerëz, edhe nëse janë mijëra që kanë marrë arratinë. Luftëtarët kurdë nuk mund të dorëzohen pa e zgjatur, ata duhet ta mbrojnë popullin tonë. Para sulmit të IS ne siguruam në qytet rezerva ushqimore për disa muaj. Shpresojmë pra që të rezistojmë edhe për një periudhë kohe. Por furnizimi mjekësor është i vështirë. Të plagosurit mund të kurohen vetëm në mënyrë emergjente, thuajse nuk kemi më mjekë.

Çfarë do të ndodhte po të binte Kobane në duart e islamistëve?

Këtë luftëtarët kurdë përpiqen ta ndalojnë me të gjitha fuqitë, por që tani kërkojmë një korridor të sigurtë, përmes të cilit nëse puna bëhet serioze të kemi mundësi të kalojmë në Turqi. Një gjë është e qartë: po të fitojnë milicët e IS, atëherë ata do të vrasin këdo këtu, pa mëshirë. Kobane është një qytet paqësor, i lirë. IS na akuzon se jemi jobesimtarë, jo myslimanë të vërtetë. Ata duan që gratë tona të qendrojnë në shtëpi dhe të vënë perexhe, duan t'u ndalojnë atyre të shkojnë në shkollë të lartë dhe që të udhëtojnë me automjete. A mund të jetë kjo e ardhmja jonë?

Intervistën e zhvilloi Julia Hahn, aktualisht në Suruc, Turqi.

Zara Misto raporton nga Kobane që prej fillimit të luftimeve për një faqe kurde interneti. DW e zhvilloi intervistën me të me telefon.