1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Akoma nuk ka zgjidhje tjetër përveç gazit rus

Klaus Deuse/Angelina Verbica16 Prill 2014

Furnizimi me energji i Gjermanisë varet më shumë se 70% nga importet. Vetëm Rusia mbulon me gaz, naftë dhe qymyr më shumë se një të katërtën e nevojës për energji. Rrugë tjetër në afat të shkurtër nuk ka.

https://p.dw.com/p/1BjQ1
Synmbolbild Gas Pipeline
Fotografi: Fotolia

Si pasojë e krizës aktuale në Ukrainë ka nisur një debat i ri për energjinë. Republika Federale Gjermane varet në një pjesë të madhe nga furnizimet me naftë dhe gaz nga Rusia. Jo pa arsye kancelarja gjermane Angela Merkel kohët e fundit ka hedhur moton "për të rishikuar të gjithë politikën e re energjetike gjermane". Sipas llogaritjeve nga grupi i punës për bilancet energjetike kuota e importit të karburanteve vitin e kaluar u ngjit në 71 për qind.

Rusisë nuk i ikën dot

Furnizuesi më i rëndësishëm i energjisë është Rusia. 38 për qind e importeve të gazit natyror, 35 përqind e të gjitha importeve të naftës dhe 25 për qind e importeve të qymyrit vijnë nga Rusia. Kështu Rusia mbulon më shumë se një të katërtën e totalit të nevojave energjetike të Gjermanisë. Alternativa të përshtatshme për të mbushur ndonjë boshllëk të mundshëm në këtë dimension nuk ka.

Vetëm 15 përqind të shpenzimeve të gazit RFGj mund ta mbulojë nga burimet e brendshme, pohon Shoqata federale e Industrisë Energjetike. Ende pjesa më e madhe e importeve vjen nga Norvegjia dhe Hollanda. Në periudhë afatshkurtër këto dy vende mund t'i shtojnë furnizimet e tyre përmes gazsjellësit, por në periudhë afatgjatë depozitave të gazit atje gradualisht po u vjen fundi, pohojnë ekspertët.

Fracking në SHBA
Fracking në SHBAFotografi: picture-alliance/dpa

Fracking nuk shtrohet akoma për diskutim

Teorikisht një alternativë do të ishte importi me çisterna i gazit natyror të ftohur dhe të lëngëzuar. Për shembull nga Algjeria, Katari dhe Shtetet e Bashkuara. Megjithatë në portet e Shteteve të Bashkuara nuk ka impiante për ngarkimin e gazit të lëngshëm. Dhe për shkarkimin mungojnë në Gjermani stacionet përkatëse. Përveç kësaj në tregun botëror vështirë se mund të sigurohen shpejt sasi të mëdha. Oferta është që tani e pakët, sepse Japonia importon shumë gaz pas katastrofës bërthamore të Fukushimës.

Duke patur parasysh varësinë nga importet ruse të gazit, është rigjallëruar diskutimi i prodhimit të gazit nga fracking. Me një përzierje uji dhe kimie gazi mund të nxirret nga thellësitë shkëmbore. Por ambientalistët porosisin që kjo teknologji fsheh një potencial të lartë rreziku. Vetëm qeveria socialdemokrate dhe ekologjiste e landit Niedersachsen do ta lejojë fracking me kushte.

Landi Nordrhein-Westfalen, i qeverisur po ashtu nga një qeveri socialdemokrate dhe ekologjiste, ka vendosur deri tani kundër fracking, edhe pse këtu sipas Shërbimit Gjeologjik të landit NRW ndodhen 220 miliardë metra kubë gaz metan në thellësi deri në 4.000 metër, më shumë se të gjitha rezervat e njohura konvencionale të gazit në Gjermani me afro 150 miliardë metra kub. Me një normë nxjerrjeje prej 12 miliardë metra kubë në vit këto depozita mjaftojnë për një maksimum prej 15 vjetësh. Me fracking në Nordrhein-Westfalen kjo periudhë do të dyfishohej. Por për këtë me sa duket nuk do ta japë bekimin politika. Përveç kësaj qeveria federale e ka përjashtuar fracking nga marrëveshja e koalicionit, përderisa për të përdoren substanca toksike. Po të vazhdojë kështu, në 15 vjet Gjermania do të ishte plotësisht e varur nga importet e gazit.

Selia e Gazprom në Moskë
Selia e Gazprom në MoskëFotografi: Vasily Maximov/AFP/Getty Images

Ndikimi mbi firmat

Varësia energjetike nuk ndryshon aspak, pasi ndalimi i nxjerrjes së qymyrit gjerman pas vitit 2018 është diçka e përfunduar. Që tani Gjermania importon qymyr guri, 25 për qind e këtyre importeve vijnë nga Rusia. Vetëm në linjit Gjermania ka rezerva, të cilat me normën e nxjerrjes së tanishme mjaftojnë për të paktën edhe 200 vjet.

Jo vetëm varësia gjermane nga importet është pjesë e ndërthurjes energjetike mes Gjermanisë dhe Rusisë, por edhe marrëdhëniet mes firmave. Kështu kompania shtetërore ruse Gazprom dhe bija e BASF Wintershall ranë dakord para disa muajsh për një shkëmbim jo të parëndësishëm aksionesh. Kështu Gazprom merr depot gjermane të gazit plus kapacitetet tregtare të bijës së BASF, në kthim Gazprom i lejon Wintershall pjesë në fushat e gazit në Siberi.

Përveç kësaj Gazprom dhe Wintershall ndajnë strukturën gjermane të gazsjellësit "Gascade", linjat e të cilit kalojnë 2.300 kilometer nëpër Gjermani. Fundja me depot e gazit rezervat e furnizimit kalojnë indirekt nën kontrollin e shtetit rus. Në ministrinë e Ekonomisë sipas me sa duket sipas nuk mendohet t'i jepet fund këtij biznesi.

Dritë të gjelbër nga Berlini pret edhe qendra e elektricitetit në Renani Vestfali (RWE) për shitjen e filialit të saj të naftës dhe gazit Dea. Dea është krahas Wintershall e vetmja kompani e madhe gjermane, që ka njohuri teknike në lidhje me fracking. Vitin e kaluar dega e RWE arriti një fitim prej 521 milionë eurosh. Por me një borxh prej rreth 30 miliardë euro koncerni energjetik i Essenit ka nevojë urgjente për para. Si pasojë 5,1 miliardë eurot, që do t'i ofrojë grupi Letter-One me seli në Luksemburg, janë shumë të mirëpritura. Pas Letter-One nuk qëndron ndonjë i panjohur, por oligarku i dytë më i pasur rus Mikhail Fridman, i cili ka marrëdhënie shumë të mira me Kremlinin dhe me ndërmarrjen shtetërore Rosneft.