1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dyshim për zgjerimin në Lindje të BE

Jeanette Seifert/ Auron Dodi20 Mars 2014

Në takimin e nivelit të lartë të BE do të vuloset edhe një pjesë e Marrëveshjes së Asociimit me Ukrainën. Disa kërkojnë tani anëtarësimin e Ukrainës në BE. Po a e mbron kjo një vend si Ukraina nga ndikimi rus?

https://p.dw.com/p/1BSym
Simbolike Ukraine BE
Fotografi: AFP/Getty Images

Ukraina do të jetë pa dyshim tema mbizotëruese e takimit të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të BE këtë javë. Gati në mënyrë demonstrative BE do të nënshkruajë me këtë rast edhe Marrëveshjen e Asociimit me Ukrainën - të paktën pjesën politike. Pjesët përbërëse ekonomike, si lehtësimet doganore dypalëshe do të pasojnë më vonë. Është fjala për atë marrëveshje, e cila do të nënshkruhej që në nëntor, por që presidenti i atëhershëm Janukoviç refuzoi ta bënte për të respektuar Rusinë. Në situatën e tanishme të acaruar, BE do të jepte me këtë një sinjal të qartë, mendon politologu nga Mynihu, Werner Weidenfeld: "Mund të shohësh se BE tani bën presion për të ecur më shpejt", i tha ai DW. A po afrohet Ukraina me shpejtësi të rrufeshme me BE? Shumë në BE mendojnë se Marrëveshja e Asociimit është vetëm një hap i parë për një bashkëpunim të ardhshëm. Komisari çek i Zgjerimit të BE, Stefan Füle i tha gazetës "Die Welt" se "nëse ne duam ta ndryshojmë pjesën përkatëse të Evropës Lindore, ne duhet të përdorim edhe elementin më të fortë, që ka në dispozicion BE - dhe ky është zgjerimi."

Zgjerim në Lindje - më mirë jo?

Ky pozicionim i qartë i Komisarit të Zgjerimit nuk gjen mbështetje tek të gjithë në Bruksel: për një anëtarësim të Ukrainës nuk ekziston një pozicion i përbashkët, bëhet e ditur nga Komisioni Evropian. Edhe në Parlamentin Evropian dëgjon zëra kritikë për çështjen e zgjerimit të BE me Ukrainën. Manfred Reuel, kryetar i Grupit CDU/CSU në Parlamentin e Strasburgut thotë se "nuk mund të pranosh asnjë vend, që nuk i plotëson vërtet kriteret e pranimit - dhe në rastin e Ukrainës kjo nuk mund të parashikohet". Reuel shton më tej se deklarata se BE do të pranojë dikë, pasi ai ta ketë kaluar të gjithë procesin, ka pak gjasa ta impresionojë Putinin për veprimet e tij.

Ndërkohë, edhe Komisari i Zgjerimit të BE është tërhequr: "Një pranim i Ukrainës nuk është në tryezë", i thotë ai DW. Ai ka përsëritur vetëm atë, që ka thënë para disa muajsh KE.

Do të shtrihet Rusia edhe në Moldavi dhe Gjeorgji?

Qëndrimin ngurues të BE ndaj një anëtarësimi të mundshëm të Ukrainës mund ta interpretosh edhe si refuzim ndaj shteteve të tjera evropianolindore, që ndihen të kërcënuara aktualisht nga politika e Putinit: në radhë të parë Gjeorgjia dhe Moldavia.

Në Republikën e Moldavisë, pak pas pavarësisë së vitit 1991 u shkëput pjesa lindore e Transnistrisë, e cila kërkon tani me këmbëngulje bashkimin me Rusinë. Vetëm pak javë më parë, banorët e një pjese tjetër të pabindur, Gagauzisë votuan në një referendum për një bashkim doganor me Rusinë. Në rajonet e Abkazisë dhe të Osetisë Jugore, të cilat u shkëputën më 2008 me ndihmën e Rusisë nga Gjeorgjia, rusishtja është tashmë njëra nga gjuhët zyrtare. Të dyja shtetet janë të varura ekonomikisht nga Rusia. Me të gjitha mjetet, Rusia përpiqet të krijojë në të dyja shtetet një atmosferë kundër asociimit me BE.