Lufta Civile nga viti 1861 deri në 1865 ripërkufizoi SHBA-në. Fillimisht një bashkim shtetesh federale, pas Luftës Civile u bë e qartë: Uniteti i bashkimit qëndron mbi gjithçka. Po cili është roli i Abraham Lincoln-it?
Lufta Civile nuk ishte vetëm një luftë për çlirimin nga skllavëria, por edhe një luftë për sovranitetin e qeverisë federale. Abraham Lincoln-i, presidenti i 16-të, ishte njeriu, që e drejtoi me sukses SHBA-në gjatë kësaj lufte.
Lufta Civile një nga ngjarjet më traumatike në historinë e Shteteve të Bashkuara
8 shkurti i vitit 2009 është një ditë me diell në Anapolis, qyteza e vogël në Lindje të Uashingtonit. Rreth 200 njerëz janë mbledhur në sallën e konferencës në një hotel të qytetit. Ata duan të dëgjojnë dhe të përjetojnë në retrospektivë, atë çfarë ka ndodhur këtu gjatë Luftës Civile amerikane. Asokohe, më 2 shkurt 1865, ishte i ftohtë i lagësht dhe ambient i pakëndshëm, kur Abraham Lincoln-it i duhej të ecte në këmbë përmes qytetit, sepse hekurudha me një shinë nuk mundi të lirohej në kohën e duhur.
Marshimi në Anapolis, më 8 shkurt 2008, në përkujtim të marshimit në këmbë të presidentit, Abraham Lincoln
Në gravurë një interpretim artistik i skenës pas vrasjes së Abraham Lincoln-it në muzeun "Ford's Theater", në Uashington. Vrasësi John Wilkes Booth, kërcen në skenë pas goditjes fatale.
Kur në vitin 1860 Lincoln-i u zgjodh president, nuk mund të parashikohej, që presidenca e tij do të dominohej prej luftës. Por ai nuk kishte asnjë mundësi për ta penguar këtë. „Unë besoj, se çështja e skllavërisë në Amerikë ishte një nyje e pazgjidhshme gordiane, që shpejt ose vonë duhej zgjidhur përmes një krize. Unë besoj, se kjo luftë ishte e domosdoshme.“
Historianët janë të një mendimi, që Abraham Lincoln-i ishte njeriu i duhur në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Asnjë nga presidentët para ose pas Lincoln-it, kështu mendon edhe Symonds, nuk do ta kish menaxhuar më mirë situatën. Lincoln-i kishte mësuar të lexonte dhe të shkruante, kish marrë një patentë avokatie dhe ishte zgjedhur si politikan në kongres e së fundi u zgjodh president. Pas kësaj ai shkonte në bibliotekën e kongresit dhe studionte libra për drejtimin e luftës. Këtë e bënte, sepse fillimisht ai nuk mund të mbështetej tek gjeneralët e tij. Si Winfield Scott ashtu edhe George McClellan nuk arrinin sukseset e dëshiruara. Presidenti duhej të ndërhynte vet në drejtimin e luftës, madje shumë më tepër nga ç´mendonte ai fillimisht. Vetëm pasi Lincoln-i ia kaloi komandën gjeneralit Ulysses S. Grant, ndodhi kthesa.
Kontributi i Lincoln-it në Luftën Civile
Pa Abraham Lincoln-in pra Lufta Civile me siguri do të kish marrë rrjedhë tjetër. Tek e fundit Jugu kishte jo vetëm gjeneralët më të mirë, por edhe avantazhin, që luftonte në territorin e vet, thotë historiania Doris Kearns Goodwin, e cila është marrë me studimin e Lincoln-it dhe të politikës së tij: „E rëndësishme ishte, që qysh në fillim ai e kuptoi, se duhej të planifikonte saktë rrjedhën kohore të masave të ndryshme që ndërmori, për të mbajtur lart moralin e luftës në Veri. Në betejën e parë të Bull Run, që ai e fitoi në Jug, Lincoln-i e kuptoi, se i nisi shumë shpejt trupat e tij. Në betejën pasuese ai ngurroi, derisa fitoi kohë të mjaftueshme, për të përgatitur trupat.“
Edhe Deklaratën e Emancipimit, sipas historianes Goodwin, Lincoln-i e publikoi më vonë, nga sa e preferonin kundërshtarët e skllavërisë. Por ai nuk deshi të riskonte dhe të humbiste shtetet, që ndonëse ishin në krahun e Veriut, e lejonin edhe vetë skllavërinë. Kalkulimi i Lincoln-it rezultoi i sukseshëm: me kalimin e kohës Jugu nuk do ta përballonte Luftën Civile. Më 9 prill 1865 kapitulloi gjenerali Robert E Lee, komandanti suprem i trupave të shteteve jugore. Lufta mbaroi, pavarësisht nga fakti, që trupat e fundit u dorëzuan disa javë më vonë. Me 620.000 të vdekur prej luftës kjo ishte e para luftë masive e kohës moderne. Abraham Lincoln-i ia doli të ruajë unitetin e kombit.