1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

100 celula islamike në shënjestër të autoriteteve gjermane

PP (afp, dpa, Spiegel Online)18 Janar 2015

Organet e ndjekjes penale dhe politikanët në Gjermani shprehen me gjuhën e shifrave për rrezikun terrorist në vend: 100 celula islamikësh, 350 të dyshuar për lidhje me "Shtetin Islamik"

https://p.dw.com/p/1EMGM
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Wittek

Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës është duke mbikëqyrur sipas njoftimeve të gazetës "Welt am Sonntag" që nga viti i kaluar rreth 100 celula islamistësh në Gjermani. Fjala është për grupe dhe rrjete me nga dhjetë deri në 80 vetë, njofton gazeta duke cituar qarqe të organeve të sigurisë. Spektri përfshin grupe që mblidhen për t'u falur, grupe propagandistësh në internet, mbledhës fondesh dhe persona që kanë luftuar në Siri dhe janë kthyer tani në Gjermani. Plane konkrete për sulme nga ana e këtyre grupeve ende nuk janë të njohura.

Hetimet ndaj terroristëve të mundshëm po bëhen për organet e drejtësisë gjithnjë e më të vështira. Islamistët po komunikojnë tani gjithnjë e më pak në chat apo përmes rrjeteve sociale si Facebook dhe Twitter. Pjesërisht ata komunikojnë vetëm përmes shërbimeve me messenger si WhatsApp apo Threema dhe autoritetet e kanë të vështirë që të kontrollojnë komunikimin në sisteme të tilla, sepse "për të lexuar mesazhet që dërgohen në këtë mënyrë nevojitet një lidhje nëpërmjet një numri telefoni celular," citon gazeta një përfaqësues të forcave të sigurisë, i cili theksoi me këtë rast rëndësinë e agjentëve të fshehtë.

Maas: Ashpërsimi i mëtejshëm i ligjeve i panevojshëm

Ministri Federal i Drejtësisë, Heiko Maas, tha se aktualisht drejtësia gjermane po procedon ndaj 350 të akuzuarve për lidhje me milicinë terroriste "Shteti islamik". Kjo tregon se ligjet penale kundër terrorizmit janë efektive, tha politikani socialdemokrat për gazetën "Bild am Sonntag". Ashpërsimi i mëtejshëm i ligjeve nuk është sipas tij i dobishëm, por vetëm aktivizëm që nuk mund t'i ndalë terroristët.

Thomas de Maiziere und Heiko Maas
Heiko Maas dhe Thomas de MaiziereFotografi: picture-alliance/dpa/R. Jensen

Maas është deri tani edhe kundër një ligji të ri për ruajtjen e të dhënave të komunikimit. Pavarësisht mosmarrëveshjeve brenda koalicionit qeveritar për këtë çështje, Ministria e Brendshme gjermane po shqyrton sipas informacioneve të revistës "Der Spiegel" mundësitë e një ligji të ri. Ministri Thomas de Maiziere (CDU) beson se një variant i kufizuar i ligjit për ruajtjen e të dhënave të komunikimit mund të ketë sukses përpara gjykatave që deri tani i kanë hedhur poshtë projektligjet gjermane për ruajtjen e të dhënave të komunikimit, si p.sh. Gjykata Kushtetuese Gjermane dhe Gjykata Evropiane, shkruan "Der Spiegel".