1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë po ndodh në Ukrainë?

J.Seiffert/ Bahri Cani12 Dhjetor 2013

Protestat në qendër të Ukrainës po vazhdojnë pavarësisht dhunës dhe të ftohtit. Ekspertët thonë se këto protesta mund të sjellin deri tek përmbysja e pushtetit.

https://p.dw.com/p/1AXr7
Fotografi: Getty Images/Afp/Genya Savilov

"Sa do të zgjasin protestat në Ukrainë, varet vetëm nga pushteti". Kështu vlerësonte në fillim të dhjetorit në një intervistë me Deutsche Wellen, deputeti i partisë opozitare "Aleanca Demokratike Ukrainase për Reforma" (UDAR), Rostyslav Pavlenko.

Dhe me të vërtetë: deri tani forcat e sigurisë në Ukrainë kanë dështuar me të gjitha përpjekjet për shpërndarjen e protestave. Demonstruesit nuk janë larguar përkundër dhunës dhe të ftohtit të madh. Ata këndojnë dhe luten së bashku, vendosin barrikada dhe qëndrojnë aty. Ata nuk janë frikësuar nga ndërhyrjet e policisë gjatë natës, apo kërcënimet gjatë ditës. Nëse presidenti Viktor Janukoviç ka spekuluar me frikësimin e demonstruesve me ndërhyrjen e njësive speciale, ka gabuar. "Këtu po vendoset për fatin e vendit", thotë Arseni Jazenjuk nga Partia e ish kryeminsitres së burgosur Julia Timoshçenko.

Orientimi drejt Perëndimit

Ajo që ka nisur pas dështimit të nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim me BE-në në fund të nëntorit, ndërkohë është shndërruar në një lëvizje masive kundër qeverisë së kryeministrit, Mykola Asarov. Qeveria është përkulur para presioneve të Rusisë dhe e ka lëshuar një shans të mirë për orientim drejt Perëndimit. Dëshpërimi i shumë ukrainasve është i madh dhe kjo po shkakton mllef gjithnjë e më të madh.

Ukraine Proteste der Opposition für Annäherung an die EU 11.12.2013
Protestat e kundërshtarëve të qeverisë në KievFotografi: picture-alliance/dpa

Dështimi i nënshkrimit të Marrëveshjes me BE ishte vetëm fillimi i protestave, mendon Cornelius Ochmann, drejtues i Fondacionit për bashkëpunimin gjermano-polak: "Shoqëria civile në Ukrainë sipas mendimit tim është zhvilluar më shumë se sa që ne mendojmë. Njerëzit janë ngopur me stilin e presidentit të tanishëm dhe duan të shprehin pakënaqësinë e tyre."

Protestat në qendrën e Kievit po organizohen nga një "Komitet për Rrezistencë Kombëtare". Në krye të tij janë tri parti opozitare dhe udhëheqësit e tyre: Vitali Kliçklo nga Partia "UDAR", Oleh Tjahnybok nga "Partia për Liri" dhe Arsenij Jazenjuk nga partia e Timoshçenkos "Atdheu". Në këtë komitet bëjnë pjesë edhe shumë organizata të tjera.

Revolucionet si udhërrëfyes

Deputeti i Partisë "'UDAR" Rostyslav Pavlenko shpreson se do të gjendet një rrugëdalje nga kriza. "Nëse jo, ne do të vazhdojmë presionet paqësore, deri në zgjidhjen e civilizuar të krizës", thotë ai. "Opozita ka dhe shumë forma të tjera për protesta paqësore, në veçanti ato që janë përdorur në vendet lindore që nga viti 1989, kur është rrëzuar regjimi komunist në Gjermaninë Lindore. Ne kemi mësuar format e protestave, por të gjitha ato do të jenë paqësore". Që tani para protestuesve po paraqiten yjet si këngëtarja Ruslana, e cila ka fituar në "Euovision Song Contest" (2004). Gjatë protestave po shfaqen edhe shumë filma.

Këtu po shtohet potenciali i protestave, gjë që e kanë nënvlerësuar autoritetet në Ukrainë dhe në Rusi, mendon Maria Davydçuk nga Shoqata për Politikë të Jashtme në Berlin (DGAP). "Qeveria ukrainase e sheh BE-në si një mundësi vetëm për sa kohë i përshtatet asaj", thotë ajo. Në anën tjetër BE-ja ka dërguar sinjale drejt Ukrainës, por nuk ka paraqitur ndonjë strategji konkrete dhe instrumente për zgjidhjen e problemeve në këtë vend. BE-ja po përpiqet tani të ndërmjetësojë në zgjidhjen e krizës, por deri tani pa sukses.

Kiew Ukraine Protest Regierung 1. Dezember Klitschko
Pamje nga protestat, në mes boksieri Klitschko që udhëheq opozitën ukrainaseFotografi: VASILY MAXIMOV/AFP/Getty Images

Opozita është në gjendje të detyrojë pushtetin të bëj lëshime, mendon Serhij Taran. Sipas tij, do të mjaftonte që niveli i protestave të mos bie. Këtë e ka dëshmuar edhe "Revolucioni i Portokalltë", para nëntë vitesh. Tani demonstruesti janë më radikalë në kërkesat e tyre se sa atëherë, mendon eksperti.

Russland Ukraine Putin Janukowitsch
Putin dhe JanukowitschFotografi: AP

Ai është i bindur se protestat e tanishme do të sjellin deri tek "ndryshimet tektonike në pushtet". Oligarkët dhe shefat e klaneve politike ngadalë po binden se Janukoviçi po humb pushtetin. Këto zhvillime mund ta rrënojnë nga brenda vetë qeverinë, që mund të sjellë edhe deri tek ndryshimi i pushtetit, pohon Taran.