1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çerkezët dhe Lojërat Olimpike në Soçi

Thomas Seibert6 Shkurt 2014

Në maj të vitit 1864 Rusia i dha fund pushtimit të Kaukazit dhe banorët çerkezë të Soçit u dëbuan.

https://p.dw.com/p/1B3NS
Lojerat Dimerore Olimpike ne Soci 2014
Fotografi: picture-alliance/dpa

Rreth dy deri në pesë milion turq janë me origjinë nga Kaukazi. Ata janë pasardhës të çerkezëve, çeçenëve, abkazëve, osetëve dhe dagestanasve. Rreth 60 shoqata që janë anëtare të Konfederatës së Shoqatave të Kaukazit në Turqi deri tani janë marrë me mbrojtjen dhe nxitjen e kulturës, zakoneve, folklorit dhe gjuhëve të tyre, tregon për Deutsche Wellen, aktivisti çerkez Özgür Aktekin. Por që në momentin që presidenti rus Vladimir Putin vendosi që Lojërat Olimpike të zhvillohen në Soçi shumë çerkezë në Turqi janë elektrizuar, tregon ai, sepse i konsiderojnë ato si provokim.

Viti domethënës 1864

Shumë pasardhës të refugjatëve të dikurshën që kanë ardhur nga Kaukazi në Turqi i shohin Lojërat Olimpike në Soçi si provokim, sepse në zonën përreth këtij qyteti Rusia i dha fund në maj të vitit 1864 pushtimit të Kaukazit. Banorët çerkezë të kësaj zone u dëbuan. Shumë prej tyre i pranoi Perandoria Osmane, por qindra-mijëra vdiqën. Për çerkezët veprimi i Rusisë ishte spastrim etnik dhe gjenocid dhe kjo ngjarje shënon këtë vit 150-vjetorin.

Ausstellung Tscherkessen Vom Kaukasus in alle Welt verweht Museum für Völkerkunde Hamburg
Fotografi: Eric Edith Matson, Photograph Collection

Organizimi i Olimpiadës Dimërore në këtë zonë është i papranueshëm kritikon Dogan Duman, një tjetër aktivist çerkez. Në përgjithësi ai është mbështetës i idesë olimpike, tha ai në televizionin turk. "Por fakti se lojërat zhvillohen mbi varret e gjyshërve të mi, unë nuk mund ta pranoj." Bashkëluftëtari i Dumansit, Kuban Kural theksoi në një intervistë me gazetën armeno-turke "Agos", se fshati olimpik në Soçi është ndërtuar në një vend në të cilën janë vrarë nga ushtarët rusë shumë çerkezë.

Demonstratat para institucioneve ruse

Prej muajsh shumë çerkezë po demonstrojnë rregullisht para institucioneve ruse në Turqi si p.sh. para Konsullatës së Përgjithshme në qendër të qytetit të Stambollit. Në një protestë të dielën e kaluar (02.02.2014) disa qindra çerkezë marshuan me flamuj dhe veshje tradicionale para konsullatës për të tërhequr vëmendjen e publikut në lidhje me "të vërtetën rreth Soçit", siç thuhej në parrulla. Lojërat e Soçit u krahasuan me Lojërat Verore të vitit 1936 në Gjermaninë naziste.

Besim pavarësisht thirrjes së dështuar për bojkotim

Sidoqoftë me qëllimin e tyre konkret shoqatat çerkeze dështuan. Më kot ato i bënë thirrje qeverisë turke për t'i bojkotojë Lojërat në Soçi. Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan do të shkojë këtë të premte (07.02.2014) Soçi. Ai do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes dhe do të takohet edhe me presidentin Putin për bisedime. Gjashtë atletë turq marrin pjesë në garat në Soçi, pra aq sa morën pjesë nga Turqia edhe në Lojërat Dimërore të mëparshme. Erdogani nuk do që të ketë mosmarrëveshje me Moskën. Rusia nuk është vetëm një fuqi e madhe në afërsi të Turqisë, por edhe një furnizuese e rëndësishme me naftë dhe gaz.

Junge Tscherkessin
Fotografi: Wulf Köpke

Por Aktekin është megjithatë i bindur se shoqatat çerkeze kanë arritur shumë, sepse i kanë bërë të vetëdijshëm çerkezët në Turqi për identitetin e tyre dhe kanë fituar përvojë të vlefshme se si mund t'i sjellin idetë e tyre në vëmendje të publikut. Në perspketivë afatgjatë çerkezët synojnë që gjenocidi ndaj tyre të njihet ndërkombëtarisht dhe ata të kenë të drejtën e kthimit në atdheun e etërve të tyre. Aktekin pranon se grupi i tij etnik i ka vënë vetes një qëllim shumë të vështirë.